Inaugurimi i anijes AF MIA
Adria Ferries i ka ngritur perdet për hyrjen e anijes së re në flotë: anijen “AF Mia”, e cila përfaqëson një hap të rëndësishëm përpara në sektorin e transportit detar në linjën Itali-Shqipëri. Aktiviteti inaugurues u zhvillua mëngjesin e sotëm, në bordin e Tragetit të ri për Kroçera, në portin e Durrësit ku u mbajt konferenca për shtyp në prani të përfaqësuesve të lartë institucionalë.
“Këto tridhjetë vitet e fundit janë shënuar nga evolucioni i flotës sonë” – shprehet Administratori i Deleguar Z. Alberto Rossi – “Michela, pastaj Claudia Prima, Francesca dhe Marina. Nga aty nisi një ndryshim i vërtetë kursi, hodhëm një sfidë, vumë një bast, duke prezantuar Michela-n e re, binjaken e Claudia-s së re, një ndryshim i vërtetë paradigme. Kështu kemi mbërritur ku jemi sot. Plani ynë ishte i qartë, ne e dinim që tregu donte një anije si kjo në të cilën ndodhemi tani. E kërkuam për një kohë të gjatë dhe më në fund e gjetëm. AF Mia është absolutisht anija më e bukur që ka lundruar ndonjëherë për në Shqipëri. Nga pikëpamja teknike përfaqëson atë çka kërkon tregu. Nuk është shumë e orientuar as në shërbimin e transportimit të pasagjerëve as drejt trafikut të mallrave, duke i përmbushur në çdo rast të dyja nevojat. Shpejtësia 25 nyje, 4 motorë, 60.000 kuaj fuqi, pa harruar ndikimin mjedisor i cili është 5 herë më i ulët se kufiri i vendosur nga standardet ndërkombëtare. Me këto karakteristika i përgjigjemi një nevoje që doli në pah pikërisht verën e kaluar kur Shqipëria u afirmua si një nga destinacionet më të kërkuara turistike të Mesdheut”.
Në bordin e anijes Mia ishte edhe Presidenti i shoqërisë Adria Ferries, Z. Mauro Maia, duke përfaqësuar fondin që ka hyrë në kapitalin e kompanisë me një pjesë të vogël të aksioneve: “Adria Ferries është një investim i rëndësishëm për Bankën Intesa SanPaolo. Që nga fillimi i rrugëtimit tonë së bashku kemi besuar në aftësitë e sipërmarrësit Alberto Rossi. Sot anija Mia është e përsosur, xixëllon nga pastërtita, krejtësisht ndryshe në krahasim me gjendjen e saj në çastin e blerjes. Falenderoj komandantin, i cili ka punuar në mënyrë frytdhënëse dhe ka qenë shumë i ngarkuar në dy muajt e fundit: angazhimi i njerëzve shihet në cilësinë e rezultateve”.
Nderimet e shtëpisë i bëri Kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Znj. Emiriana Sako: “Investimi i shoqërisë Adria Ferries vjen pas bumit të turizmit të këtij viti, por ishte i planifikuar në terma afatgjatë që më përpara. Për sa i përket infrastrukturës detare, po bëhen investime të rëndësishme, siç është Marina Turistike e parashikuar për vitin 2024. Vitin e kaluar kemi pasur më shumë se një milion e gjysmë vizitorë që kanë kaluar në Durrës, ja pse ne jemi duke bashkëpunuar me sipërmarrës privatë siç është rasti i Adria Ferries, e cila është e pranishme në vendin tonë prej 20 vitesh. Biznesi ka qenë i suksesshëm dhe tregon forcimin e marrëdhënieve midis Italisë dhe Shqipërisë, falë linjave nga Bari dhe Ankona për në Durrës dhe anasjelltas.
Për investimet foli edhe Znj. Delina Ibrahimaj, Ministre Shteti për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit: “Po investojmë në të dy frontet, atë të tregtisë dhe atë të shërbimit të pasagjerëve. Porti i Durrësit do të jetë porta hyrëse për Evropën, me synimin për të promovuar lidhjet me Shqipërinë dhe vendet e Rajonit. Ne duhet të mbështesim njëri-tjetrin për të krijuar infrastrukturë funksionale. Durrësi është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë, me një transit pasagjerësh prej 50% dhe me mbi gjysmën e vëllimit tregtar të vendit. Ky nuk është më bast dhe Mia është një investim i suksesshëm, po atë sukses që duam edhe për Shqipërinë”.
Rëndësia e lidhjes Itali-Shqipëri u nënvizua edhe nga Zëvendës Ambasadori i Italisë në Tiranë, Luigi Mattirolo: “Ka më shumë se 700.000 shqiptarë në Itali që kthehen rregullisht në vendin e tyre të origjinës. Marrëdhëniet midis dy Shteteve janë unike, nuk ka kombe të tjera që të kenë marrëdhënie kaq të ngushta midis popujve dhe ekonomive të tyre. Mjafton të mendojmë se një e treta e tregtisë së jashtme të Shqipërisë mbulohet nga Italia. Kjo lidhje kaq e veçantë është bërë e mundur nga kompani të tilla si Adria Ferries. Si Ambasadë e Shtetit Italian kemi qenë gjithmonë në krah të sektorit privat dhe do të vazhdojmë të japim kontributin tonë në mënyrë vendimtare edhe në të ardhmen”.
Pasi u largua nga Durrësi, Mia u nis drejt Ankonës ku iu zbulua zyrtarisht mediave italiane me rastin e festës tradicionale të Krishtlindjeve, “Christmas Party”, të organizuar nga Frittelli Maritime Group e cila këtë vit u zhvillua më 11 dhjetor në bordin e anijes.